Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE), mbylli të shtunën ditën e dytë të punimeve në Tiranë. Presidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Riccardo Migliori, në mbyllje të këtyre punimeve deklaroi se misioni i OSBE-së vitin tjetër do jetë i përqendruar në Shqipëri, me qëllim që vendi të sigurojë zgjedhje të pranueshme nga të gjitha palët politike.
Ai premtoi një monitorim efikas të zgjedhjeve në vitin 2013-të. “Kemi bërë një punë të madhe. OSBE ka arritur rezultate të kënaqshme në Shqipëri. Ne do vazhdojmë të angazhohemi për Shqipërinë. Në këtë vend vitin tjetër ka zgjedhje, do bëjmë të pamundurën që të jemi të shumtë, dhe të kontribuojmë që këto zgjedhje të sigurojnë marrëdhënie pozitive mes forcave politike. Kjo është detyra jonë, që pas zgjedhjeve populli shqiptar të festojë”, tha ai.
Mbylljen e punimeve e përshëndeti edhe kryeparlamentarja Topalli, e cila premtoi se Shqipëria angazhohet të realizojë zgjedhje të lira e të ndershme, ndërsa ftoi OSBE të vëzhgojë procesin. “Këto ishin dy ditë të veçanta e domethënëse, për OSBE dhe vendin tim. Kjo është një asamble që punon terreneve, pikërisht ju dini ku janë problemet me zgjedhjet, ku çalon puna e tyre. Do ju ftoja secilin prej jush ejani dhe vëzhgojini zgjedhjet në Shqipëri, ne po punojmë që të jenë të lira dhe të ndershme”,- tha ajo.
Përgjatë dy ditëve në Hotel 'Sheraton' zhvilloi punimet sesioni i vjeshtës i Asamblesë Parlamentare të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Europian (OSBE). Sesioni i sotëm iu kushtua rolit të medias në promovimin e mirëqeverisjes, ku referuan deputeti Mark Marku; drejtori Ekzekutiv i Transparency Internacional Albania, Lutfi Dervishi, etj