Në një tjetër konferencë urgjente, Presidenti Ilir Meta iu drejtua me pesë pyetje drejtuesit të Prokruorisë së Elbasanit, Kreshnik Ajazi, për ngjarjen e ndodhur më 21 prill, ku u vra me armë zjarri Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 të tjerë.
Mes të tjerash, Meta pyet kryeprokurorin Ajazi se pse është vonuar administrimi i materialit kallëzues të PD dhe pse kallëzuesi Gazment Bardhi është thirrur për t’u paraqitur vetëm më 30 prill, pesë ditë pas zgjedhjeve.
“Jam këtu për të drejtuar 5 pyetje për Prokurorinë e Elbasanit dhe drejtuesin e saj z.Kreshnik Ajazi.
Përse është vonuar administrimi i materialit kallëzues të PD, dërguar për kompetencë prej SPAK-ut?
Përse z.Gazment Bardhi si kallëzues është thirrur për t’u paraqitur vetëm në datën 30 Prill, 5 ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve?
Si mund të ndihmojnë këto veprime hetimore kaq të ngadalta me vetëdije parandalimin e krimit zgjedhor në Ebasan? Përse duhet që z.Gazment Bardhi të paraqitet në datën 30 prill, 5 ditë pas zgjedhjeve dhe jo urgjentisht?
Përse duhet kjo vonesë kaq e madhe?
A kandidon për deputet në këto zgjedhje si kandidat i partisë në pushtet në qarkun Elbasan vëllai juaj Besjon Gëzim Ajazi?
A ndiheni ju në përmbushjen e detyrës tuaj në konflikt të pastër interesi lidhur me këtë fakt? Dhe nëse po, a keni vlerësuar ndonjëherë të dorëhiqeni apo të kërkoni transferimin nga drejtimi i Prokurorisë në Elbasan?
Zotërinj prokurorë të Elbasanit, a ju vret ndopak ndërgjegjia që vetëm 1 ditë pas njoftimit tuaj për t’u paraqitur për sqarime nga kallëzuesit në datën 30 prill pas zgjedhjeve, ndodhi përplasja me armë dhe fatkeqësisht përgjakja në qytetin e Elbasanit?”





