Burrë e grua, Erzen Tora 26-vjeç dhe Fatbardha Tora 23-vjeç janë gjetur të pajetë në fshatin Velçan të Pogradecit, brenda një kasolleje.

Nga hetimet paraprake, dyshohet se gjatë natës ata janë konfliktuar dhe goditur fizikisht me njëri-tjetrin. Më pas konflikti ka vijuar edhe jashtë banesës, konkretisht në një kasolle (pronë e tyre) ku gruaja dyshohet të ketë goditur në kokë, me mjet të fortë (dru) bashkëshortin e saj, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen.

Ky veprim duket se e ka tronditur jashtë mase të renë, e cila në kushte të rënda psikologjike ka konsumuar helm, siç sqaron edhe policia.

Konflikti mendohet të ketë ndodhur, për motive të dobëta, midis dy bashkëshortëve. Trupat e tyre janë transportuar në morgun e Spitalit të Pogradecit, ku pritet të kryhet autopsia.

Nga ana e Policisë, po kryhen gjithë veprimet e nevojshme proceduriale dhe po punohet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.