Rreth orës 20:05, të mbrëmjes së sotme, Policia Kufitare e Durrësit ka kapur në flagrancë një shtetas me lëndë narkotike.

Në pranga ka përfunduar Berald Islami, 24 vjeç, banues në Durrës, person me precedentë të mëparshëm penalë.

Në Portin Detar Durrës kanë qenë të planizuar me shërbim, Policia Kufitare me qen Anti- drogë; Forcat e Sigurisë Portuale dhe Shërbimi Doganor.

Në bazë të dyshimeve se shtetasi i mësipërm dispononte lëndë narkotike, gjatë kontrollit fizik nga policia, ai ka tentuar të largohet duke vrapuar, por është neutralizuar menjëherë nga Shërbimet e Policisë Kufitare të ndihmuara edhe nga Forcat e Sigurisë Portuale.

Në vijim i është ushtruar kontroll i imtësishëm ku në trup iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

•6 pako të mbështjella me natriban, me peshë rreth 2 kg e 200 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit Heroinë.

Shtetasi i mësipërm është person me precedent penal të mëparshëm në fushën e veprave penale kundër jetës.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës po vijojnë veprimet e mëtejshme procedurale.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore materialet do ti referohen për veprime të mëtejshme Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprën penale" Trafikimi i narkotikëve, mbetur në tentativë" parashikuar në nenin 283/a, 22 të Kodit Penal.