Katër katet e një pallati 22 katësh janë rrëzuar pas amortizimit të tejskajshëm, por fatmirësisht pa të lënduar.

Katet e rrëzuar prej skeletesh metalike dhe druri, janë pjesë e pallatit 22 katësh në zonën e Shkëmbit të Kavajës, i cili kaloi në disa procese gjyqësore.

Puna në katër katet e fundit ishte ndërprerë vite më parë dhe prej dy vjetësh konstruksionet metalike ishin kthyer në shqetësim kryesor për banorët e pallatit, pushuesit dhe për të gjithë komunitetin e zonës.

Si rezultat i amortizimit dhe fenomeneve atmosferike, skelat janë rrëzuar. Juristi i firmës së ndërtimit, që ngriti këtë pallat, Ibrahim Beja, i cili vuri në dispozicion edhe dokumentacionin e pallatit, pohoi se rënia e skelave dhe ndonjë tragjedi më e madhe mund të shmangeshin nëse bashkia e Durrësit do t’i kishte dhënë përgjigje kërkesave të njëpasnjëshme të subjektit për të zhvilluar punimet.

Ky pallat u ndërtua vite më parë. Pallati ka kaluar një sërë procesesh gjyqësore për prishjen e tij, por sipas dokumentacionit të vënë në dispozicion nga juristi janë fituar nga kompania ndërtuese.    

“Prej disa vjetësh është aplikuar nga ana e shoqërisë për leje ndërtimi shtesë për katet e papërfunduara, por nuk kemi marrë asnjë përgjgje nga bashkia e Durrësit. Ne kërkuam leje nga bashkia dhe kërkesa e fundit është e 15 korrikut 2016, por nuk na u dha asnjë përgjigje” deklaroi Beja.  

“Pallati është me leje ndërtimi, shfrytëzimi dhe me hipotekë” pohoi juristi.  

Juristi i bëri apel bashkisë së Durrësit të japë leje për të kryer punimet e mbetura pezull.   

Por bashkia e Durrësit i hodhi poshtë pretendimet e juristit se nuk i është kthyer përgjigje nga njësia e pushtetit vendor (lexo këtu)

Pallati 22 katësh u ndërtua mes shumë polemikash. Ish-komuna e Rrashbullit kërkoi nga inspektoriati ndërtimor prishjen e tij si ndërtim pa leje dhe që nuk respektoi rregullat e urbanistikës, ndërkohë që në gjykatë firma ndërtuese fitoi betejat ligjore.