Dimri i këtij viti, ka tharë në masë të madhe palmat në qytetin bregdetar të Durrësit. Deri një vit më parë, Durrësi konsiderohej qyteti i 1000 palmave, si rezultat i investimit të madh që bëri bashkia për blerjen dhe mbjelljen e këtyre pemëve dekorative.
Por palmat e mbjella në shëtitoren Taulantia janë dëshmi e gjallë e dëmtimit si rezultat i të ftohtit të këtij dimri. Në këtë fund dimri vërehet qartë se shkalla e dëmtimit dhe e tharjes së tyre është shumë e madhe. Disa prej këtyre palmave janë tharë në masë 100%, ndërsa të tjera kanë dëmtime të mëdha.
Palmat janë një traditë në Durrës, pasi ato janë mbjellur në shëtitoren e qytetit që në vitet ‘70 ndaj mbjellja e këtyre palmave është vazhdimi i kësaj tradite që e ka pasur qyteti bregdetar.
Problemi i madh qëndron në faktin se këtë vit bashkia e Durrësit nuk ka përcaktuar asnjë fond për gjelbërimin në qytet, për faktin se në vitet e shkuar fondet kanë qenë të mëdha në këtë fushë. Çështja është se a do të gjejë mundësi bashkia e Durrësit të zëvendësojë palmat e thara në shëtitoren Taulantia, e cila mbetet vendi më piktoresk dhe më i vizitueshëm nga qytetarët durrsakë e jo vetëm në Durrës, për shkak se një shëtirore e dytë mungon.
Në 16 maj të vitit 2015, kryebashkiaku Dako inaguroi mbjelljen e palmës së 1000-të në Durrës, dhe me këtë rast i ktheu përgjigje opozitës, e cila shpesh kishte ngritur si shqetësim çmimin e lartë me të cilat ishin blerë palmat nga bashkia e Durrësit.
“Na akuzojnë që kemi mbjellur shumë palma në qytet, por ju jeni vetë dëshmitarë se që nga vitet ‘70 shëtitorja nga Vollga deri në Muzeun Arkeologjik ishte e mbjellë me palma dhe ne sot vazhdojmë traditën e mbjelljes së këtyre pemëve që i shkojnë bregdetit tonë. Po kështu na akuzojnë se palmat janë të shtrenjta apo kushtojnë 5 mijë euro etj etj. Po ju sqaroj se një palmë që është mbjellë në rrugën e plazhit kushton 31 mijë lekë të rinj pa TVSH ose rreth 220 euro dhe fjalët e thëna deri tani kanë për qëllim dezinformimin e opinionit” tha Dako në atë kohë.





