Policia e Vlorës ka finalizuar operacionin e koduar “JALA”, ndërsa ka sekuestruar një sipërfaqe toke në fshatin Vuno dhe Jalë, pasi dyshohet se ishte përvetësuar duke falsifikuar dokumentet nga Murat Hysenaj, 56 vjeç, banues në Vlorë.
Ky i fundit ishte shpallur në kërkim dhe është arrestuar nga policia. Ai akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”.
Mbi bazën e këtij operacioni, Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, kanë bërë sekuestrimin e një sipërfaqe toke prej 17.000 m2 toke në fshatin Vuno dhe Jalë, Bashkia Himarë, e cila është përvetësuar nga shtetasi i mësipërm nëpërmjet falsifikimit të dokumentave.
Vlera e kësaj sipërfaqe toke sipas policisë, shkon rreth 1.7 milionë euro. Gjithashtu, për veprat penale të mësipërme, 56-vjeçarit Hysenaj i është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.





