Kamza do të luajë në fundjavë një nga ndeshjet më të rëndësishme të sezonit ndaj Besëlidhjes. Lezhjanët janë rivali i ekipit të Bledar Devollit në garën për ngjitjen në Superiore dhe një fitore ndaj tyre do të bënte që kamzalinjtë t’ua shuanin këtë objektiv.Kjo përballje është vlerësuar shumë nga të gjithë futbollistët. Më konkretisht, Erlis Frashëri dhe Albi Çekiçi kanë bërë një premtim disi të pazakontë. Ata kanë vendosur që të marrin me vete në Krujë, ku do të luhet edhe takimi, berberin e tyre personal. Kjo pasi, në rast fitoreje, kanë vendosur të qethen tullacë.
Një deklaratë e tillë ka shkaktuar shumë ilaritet në grup dhe do të mbetet për t’u parë nëse futbollistët do ta realizojnë vërtet një gjë të tillë, në rast se skuadra e tyre merr trepikëshin në këtë takim të rëndësishëm. Diferenca e Kamzës me Besëlidhjen është 10 pikë dhe favoritë për t’u ngjitur sezonin e ardhshëm në Superiore janë pa dyshim lezhjanët.