Emiljano Shullazi, një nga emrat më të përfolur të botës së krimit është dërguar mëngjesin e sotëm në një spital privat në Tiranë për shkak të komplikacioneve, një javë pasi kreu një ndërhyrje kirurgjikale.

Por “BalkanWeb” mëson se Shullazi nuk është i vetmi ‘i fortë’ në këtë spital. Burime të besueshme brenda spitalit thanë për “BalkanWeb” se tek i njëjti pavijon ndodhet edhe Gjergj Cukali, i njohur ndryshe si “I forti i Myslym Shyrit”. Ai u arrestua vitin e kaluar si kreu i një bande kokaine në kryeqytet.
Mësohet se në spitalin privat ku ndodhen të dy personazhet “VIP”, janë marrë masa të shumta sigurie dhe ndodhet një numër i madh forcash policie.
KUSH ËSHTË GJERGJ CUKALI
Më 12 korrik të vitit të kaluar, Policia e Tiranës goditi një grup të strukturuar kriminal që shpërndanin kokainë në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Gjatë operacionit u arrestuan 7 anëtarë të grupit kriminal që drejtohej nga ‘i forti i Myslym Shyrit’, Gjergj Cukali, 37 vjeç. Ndërsa më herët kishin rënë në pranga edhe 9 të tjerë.
Në operacionin e koduar “Tangent”, u arrestuar edhe një grua 46 vjeçe që ishte ‘llogaritarja’ e bandës.
Banda shpërndante kokainë, në zona të ndryshme të Tiranës si “Myslym Shyri”, ish-Blloku, sheshi “Willson”, në rrugën “Ali Demi”, në zonën e “Porcelanit” dhe në rrugën e “Elbasanit”.
Sipas hetimeve të policisë 7 të arrestuart e siguronin lëndën narkotike përmes Gjergji Cukalit dhe më pas e shpërndanin, sipas porosive të marra nga klientët. Cukali është arrestuar edhe më herët për armëmbajtje pa leje. Madje në vitin 2012 kur u arrestua për kë vepër penale, ai deklaroi se arma ishte e shokut të tij të vrarë Arlind Fuga. Ky i fundit ishte mik edhe me Emiljano Shullazin.





