Shpërthejnë në flakë makinat e dy vëllezërve nga Shijaku. Makinat tip “Benz” dhe “Renault” kanë qenë të parkuara në oborrin e banesës së tyre kur ka rënë zjarri.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 02:30 të natës, në fshatin Sallmone, në oborrin e banesës së shtetasit G.C. që është dhe babai i djemve në fjalë.

Me të marrë njoftimin, menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse dhe efektivët e Policisë.

Për pasojë të dyja automjetet janë djegur në pjesën e përparme, ndërsa shkaku i rënies së zjarrit mbetet enigmatik.

Nuk dihet ende nëse është si rezultat i një vepre të qëllimshme nga persona të tjerë, apo për defekte teknike zjarri ka rënë fillimisht në njërën prej mjeteve, e më pas flakët kanë kapluar edhe makinën tjetër.

Ndërkohë, po vijojnë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.