Emiljano Shullazi i akuzuar si kreu i një bande të fuqishme kriminale, është shoqëruar në një spital privat për një ndërhyrje kirugjikale. Ai është shoqëruar në ambientet e këtij spitali nën masa të forta sigurie nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
Ndërkohë sot në orën 13:00 ishte parashikuar zhvillimi i seancës gjyqësore të ballafaqimit dhe pyetjes së dëshmitarit të mbrojtur Ylvi Beqja. Seanca për ballafaqimin e tij më Shullazin për të 10-n herë është shtyrë për arsye të mungesës së avokatëve apo të dyshuarve.
Siç duket, edhe rasti i shtrimit në spital, është bërë për të njëjtin qëllim, atë të zvarritjes së procesit gjyqësor të sigurimit të provës. Dëshmitari i mbrojtur Ylvi Beqja pritet të dëshmojë për kërcënimet dhe gjobat që është detyruar t’ia paguajë bandës së Shullazit, për të cilat edhe janë arrestuar.
Shullazi ndodhet në qelitë e paraburgimit bashkë me pjestarët e tjerë të bandës, Blerim Shullazin e Gilmando Danin. Ata janë arrestuar më 17 prill 2016, sepse në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe me persona të tjerë në kohë dhe qytete të ndryshme, ata akuzohen se kanë shtrënguar nëpërmjet kanosjes për dhënien e pasurisë në mënyrë të padrejtë biznesmen të ndryshëm.





