Një ngjarje e rëndë ka ndodhur paraditen e sotme në qytetin e Elbasanit, ku ka humbur jetën një nxënës 17-vjeçar.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi në ambientet e shkollës “Ali Myftiu”, ku viktimë mbeti Liman Sallaku banues në fshatin Katund i Ri. Policia thotë se i ka rënë të fikët dhe vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.
Por ndërkohë, nga të pranishmit në vendin e ngjarjes mësohet se adoleshenti ka mbetur i aksidentuar rëndë, pasi është rrëzuar nga muri i shkollës. Pavarësisht tentativave për ta dërguar sa më shpejt në spital, 17-vjeçari ka ndërruar jetë gjatë rrugës.
Shkak për këtë, dyshohet të ketë qenë goditja e fortë në kokë, që nxënësi ka pësuar gjatë rrëzimit.
“Njoftohemi se sot më datë 15.02.2017 në ambientet e jashtme të shkollës “Ali Myftiu” shtetasit L.S 17 vjeç banues në fshatin Katund i Ri i ka rënë të fikët. Shtetasi është dërguar menjëherë për ndihmë mjekësore në spitalin Kirurgjik Elbasan dhe më pas ka ndërruar jetë. Vdekja dyshohet për shkaqe natyrale”, thuhet në njoftimin paraprak të policisë.
Kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes, dhe shkaqeve që çuan në vdekjen e 17-vjeçarit.





