Një aksion si asnjëherë më parë, në një bashkëpunim ndërmjet FNSH-së dhe forcave speciale RENEA solli sot arrestimin në kohë rekord të 4 prej 6 autorëve të grabitjes së 3.2 milionë dollarëve në Qafë-Kashar.
Në pranga u vunë:
Fation Xhyliu , 33 vjec, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”
Ditjon Memlika, 31 vjec, lindur në Tepelene dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake
Neim Avdulaj, 28 vjec, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit.
Ernest Kupa, me banim në Krujë, me biznes privat.
Ndërkohë Policia vijon aksionin edhe për kapjen e dy autorëve të tjerë, të identifikuar dhe të shpallur tashmë në kërkim. Operacioni i policisë, nisi rreth pasdites, ku u monitorua dhe u vu në “shtetrrethim” e gjithë zona nga Preza e deri në Vorë, ku dyshohej se fshiheshin autorët.
Policia ka publikuar edhe pamjet e këtij superaksioni, ku duken të gjitha masat e marra nga policia e deri në arrestimin e autorëve. Policia ka zbuluar edhe një pjesë të shumës së parave, që siç tregohet në video, u gjet në shtëpitë e autorëve, teksa zyrtarisht nuk dihet ende se sa është shuma e zbuluar.
Sipas hetimeve të policisë, ky grup kriminal është i njëjti që ka kryer edhe grabitjen tjetër, po në aksin e Qafë-Kasharit më 3 Dhjetor të vitit 2015. Ndërsa ekzistojnë dyshime të forta, siç theksoi Drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj, se autorët janë të njëjtët që kanë grabitur edhe një bankë të nivelit të dytë tek stacioni i trenit.





