Gjashtë gola të shënuar në një kampionat të fortë dhe me rivalitet nuk janë pak për një mesfushor. Pasi ka arritur të fitojë besimin e trajnerit Magani për një vend titullari, Emiljano Musta po tregon gjithmonë e më shumë cilësi në fushën e blertë. Elbasanasi, që ka veshur edhe fanellën e Partizanit, është shprehur se skuadra e tij i ka të gjitha shanset që të zërë vendin e tretë dhe të përfaqësohet në Europë. “Në momentin që hyj në fushën e lojës, ndiej përgjegjësi dhe jap më të mirën time që të ndihmoj ekipin në arritjen e objektivit. Në takimin ndaj Vllaznisë kemi bërë gjithçka mirë dhe kemi arritur të fitojmë duke hedhur një hap drejt vendit të tretë në klasifikim që është edhe synimi ynë për t’u arritur në fund të kampionatit.
Shpresoj që të jemi po kaq rezultativë edhe në ndeshjet e tjera, pasi nuk duhet të hedhim poshtë investimin e bërë nga drejtuesit, por edhe punën e stafit teknik. Në aspektin personal, jam i lumtur që kam arritur të shënoj gjashtë gola, por ajo që më jep më shumë kënaqësi është fakti që ekipi ka ecuri. Duhet të vijojmë në këtë rrugë që të jemi në Europë. Objektivat arrihen në fushë, jo me fjalë apo deklarata”, ka thënë Musta.
Mesfushori ka edhe mesazh për tifozët, duke kërkuar mbështetjen e tyre në ndeshjet e mbetura të kampionatit. “Futbolli luhet për tifozët dhe kur ata janë aty në krahun tonë, edhe stadiumi merr kuptim të plotë. Ne i premtojmë se do të japim maksimumin në fushën e lojës për të arritur Europën, ndaj edhe ata duhet të jenë të shumtë dhe të na mbështesin, ashtu siç bëjnë edhe tifozët e ekipeve të tjera.
Kemi parë mbështetës edhe te skuadra që nuk kanë objektiva, apo ato që luajnë në Kategorinë e Parë dhe realisht është një ndjesi e mirë. Për këtë arsye, u bëj edhe një herë thirrje tifozëve tanë që të jenë në krah të këtij ekipi, i cili po bën një paraqitje shumë të mirë dhe është afër realizimit të objektivit”, ka mbyllur Musta.