Policia e Kosovës ka arrestuar mëngjesin e sotëm kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymerin. Mediat kosovare raportojnë se arrestimi ka ardhur pas një kërkese që policia e Kosovës mori nga Gjykata Themelore në Prishtinë.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Vetëvendosje ka dënuar aktin e policisë për arrestimin e Ymerit, duke theksuar se qeveria po kthehet në një regjim policor totalitar, që shtyp pakënaqësinë.
“Sot, rreth orës 09:00, është arrestuar sërish kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri. Si rezultat i dështimit të saj në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik, Qeveria e Kosovës, përmes drejtësisë që e ka kapur, ka riaktualizuar raste të para shumë viteve, vetëm sa për të shtypur kundërshtarët politikë. Në mungesë të çdo legjitimiteti, pushteti po synon të qeverisë duke montuar raste dhe duke burgosur opozitën. I ndeshur me pakënaqësinë më të madhe qytetare që ka ekzistuar ndonjëherë në Kosovë, ky pushtet, në vend që të reflektojë e t’i kthehet popullit, po e shndërron veten në regjim policor totalitar, që shtyp pakënaqësinë. Lëvizja VETËVENDOSJE kërkon lirimin e menjëhershëm të kryetarit të saj dhe ndërprerjen e menjëhershme të të gjitha rasteve gjyqësore politike dhe të montuara, kundër aktivistëve të saj”, shkruan VV.