*“Në polici abortova e nuk më dhanë ansjë ndihmë. Policët më kërcënuan, do të të fusim në burg!”
Mimoza Shkoza, banore e lagjes numër 10 në Durrës, mbahet mend nga të gjithë mediat, për atë ankesë që i drejtoi publikisht ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, përpara drejtorisë së policisë së qarkut në 13 qershor të 2015-s, ditë kur Tahiri inauguroi zyrën e shërbimit për qytetarët. 42-vjeçarja hedh akuza të rënda ndaj policisë, gjykatës dhe shefave të policisë së Durrësit.
“Atë ditë më shoqëruan në polici sepse i fola ministrit, atje dështova, dhe policia nuk mori asnjë masë. Tani gjykata i dha të drejtë komshiut Ylli Mema. Ai është kushëriri i parë i gjykatëses Enkelejda Stofa. Kush do të më japë drejtësi? Ai doli i pafajshëm, dhe unë që e denoncova për dhunë, jam fajtorja? Ai do të më rrahë mua, mamanë, kush do të na mbrojë ne? Ai është biznesmen, ne jemi romë. Unë, nëna dhe djali jemi.”
Zonja denoncoi dhunën që po përjeton nga komshiu, për të cilën prej dy vjetësh po endet dyerve të gjykatës. Por ditën e sotme, nga e dhunuar, u konsiderua fajtore, nga gjykatësja Marjeta Tafa në seancën përfundimtare, madje i ngarkohen edhe shpenzimet e gjyqit. Zonja në fjalë pohoi se çështja më herët u gjykua nga gjykatësit Rexhep Bekteshi e Fejzo Hysi, më pas u apelua nga i padituri, u rikthye sërish në Shkallën e Parë dhe i pandehuri mori pafajësinë.
“Ai është i bardhë, unë dorë e zezë, ai ka para, unë marr pagë minimale në Hekurudhë, kush do ta gjejë të drejtën time?”, shprehet e shqetësuar Shkoza.





