Në momentin kur ministrja e Mbrojtjes Mimi Kodheli dhe ai i Shëndetësisë Ilir Beqja kanë shkuar të vizitojnë në spitalin e Shkodrës ushtarin që i mbijetoi rrëzimit të helikopterit, Gerald Baramuçën, ka ndodhur një incident në ambientet e spitalit.

Dy ministrat nuk kanë lejuar gazetarin e “Zërit të Amerikës”, Pëllumb Sulon që të filmojë duke iu hakërryer.

E para që ka kërkuar që mos të filmohet ishte ministrja Kodheli, e cila u shpreh: “Ka mundësi ju lutem, pak me kamerat”. Menjëherë pas saj vjen ministri Beqaj, i cili i ka kërkuar po të njëjtën gjë gazetarit.

Beqaj: O Pëllumb paske trash zërin. Nuk ke qenë kështu mor burrë?!
Gazetari: Sigurisht që e kam trashur
Beqaj: Oouu
Gazetari: Nuk lejon askënd të më prek kamerën
Beqaj: Ke trashur zërin?
Gazetari: Të lutem shumë
Beqaj: Është dhomë zgjimi, ule zërin

Edhe policia ushtarake dhe ajo e shtetit nuk kursyen kërcënimet e deri edhe nxjerrjen jashtë ambienteve të spitalit të gazetarit në krye të detyrës.

Personi që shoqëronte ministrin Beqaj, ka dalë nga dera dhe i është drejtuar gazetarit duke thënë se: “Ule zërin. Mos ta dëgjoj zërin fare. Ta tregojë unë qejfin ty”.