Kryetari i bashkisë së Durrësit ka firmosur shkarkimin e drejtoreshës së Shtëpisë së Fëmijës në Durrës, Heroina Duka, pas urdhrit të ministrit të Mirëqenies Sociale, Blendi Klosi.

Kryebashkiaku Vangjush Dako ka emëruar drejtoreshë të komanduar të Shtëpisë së Fëmijës znj. Olta Bajraktari, specialiste për mbrojtjen e fëmijëve pranë Shërbimit Social në bashkinë Durrës.

Shkarkimi i drejtoreshës Heroina Duka erdhi pas ngjarjes skandaloze që ndodhi në institucionin që ajo drejtonte, ku një fëmijë 3 vjeç e gjysmë ishte dhunuar nga kujdestarja e tij, Dafina Fama.

Ministri Klosi e vlerësoi rastin tepër të rëndë dhe kërkoi largimin e drejtoreshës për përgjegjësinë e menaxhimit dhe drejtimit të stafit, si dhe përgjegjësinë për mirëqenien dhe sigurinë e fëmijëve.

Ndërkohë, ndaj kujdestares Dafina Fama, është dhënë masa “arrest me burg”.