Mbetet ende në pikëpyetje autorësia e vrasjes së 50-vjeçarit Artur Kurti, nëse është i biri, Jurgen Kurti, apo kunati Leonard Ristani.

Dajë e nip janë arrestuar në lidhje me këtë krim, por ende është e paqartë se kush ia ka dhënë goditjen fatale.

Vetë Jurgen Kurti ka deklaruar para oficerëve të Policisë Gjyqësore se nuk e di me saktësi se kush nga ata të dy e ka qëlluar me thikë.

Sipas tij, të shtunën në mesnatë, nëna e kishte lajmëruar se babai kishte shkuar i dehur në banesë dhe kishte tentuar të hynte me forcë.

Për këtë arsye, Shpresa Kurti kishte lajmëruar edhe vëllanë e saj, Leonard Ristanin, të cilin e kishte vënë në dijeni për atë çfarë po ndodhte mes saj dhe të shoqit. Në momentin kur e shoqja i hapi derën, ai tentoi ta godiste me thikë, por ndërhyri kunati me djalin.

“Babai goditi dajën dy herë në trup dhe ai ra në tokë. Më pas u ngrit dhe u drejtua t’i merrte thikën babit nga dora. U përleshëm të dy me të. Nuk e di me saktësi se cili nga ne e goditi pasi i morëm thikën nga dora, por e pashë që u plagos rëndë dhe u rrëzua. E kam lënë aty të plagosur rëndë, nuk e dija se ka vdekur, dhe u nisa të dërgoj dajën me makinë në spital”, ka treguar në polici Jurgen Kurti, raporton “Panorama”.

Më pas, sipas tij, gjatë rrugës janë shkëmbyer me një makinë policie dhe u ka treguar se çfarë kishte ndodhur.