Me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës, Kisha Katolike e Kosovës do të organizojë shtegtimin për në Vatikan, ku më 3 shtator do të interpretohet edhe himni i Nënë Terezës nga artistët e njohur shqiptarë. Kisha Katolike e Kosovës ka njoftuar lajmin e pranimit të kërkesës për ekzekutimin e himnit të Nënë Terezës nga artistët shqiptarë.
Imzot Dodë Gjegji, në një konferencë për mediat, tha se “ne jemi të lumtur këtë vit sepse është viti kur do të shenjtërohet Nënë Tereza.” “Do të kemi mundësinë për të shfaqur edhe koncertin në sallën më të rëndësishme që ka Vatikani,” – vijoi ai më tej.
Ideatorja e himnit Nënë Tereza, Diana Toska, tha se “3 shtatori i këtij viti nuk do të jetë vetëm datë historike, por do të jetë e papërsëritshme në historinë e popullit shqiptar.”
Vendimin për pranimin e kërkesës për interpretimin e himnit të Nënë Terezës në Vatikan, gjatë ceremonisë së shenjtërimti të saj, e dha vetë Papa Françesku, teksa njoftoi edhe vendimin për emërimin e Don Rrok Gjonlleshak si arqipeshkv i Arqipeshkvisë së Tivarit.





