Zamir Poka, babai i dy djemve, me lot në sy iu drejtua “DurrësLajm” për ndihmë. Djali i tij 13-vjeçar duhet të nisë seancën e tretë të kimioterapisë, por prindërit duket se janë dorëzuar, përballë gjendjes së rëndë ekonomike dhe sociale ku ndodhen.

13-vjeçari Klorian Poka, fëmija i madh i familjes Poka, me banim në Spitallë të Durrësit, e origjinë nga Kukësi, po vuan prej muajsh nga një sëmundje tumorale. Djali gjendet në shtrat, pasi ka lënë shkollën prej 2 muajsh, përfundimisht, për t’iu nënshtruar seancave të kimioterapisë në spitalin e Tiranës. Me lot në sy, flasin babai e gjyshja, ndërsa nëna e tij është e vetmja që punon në familjen prej pesë anëtarësh me të ardhura 200 mijë lekë të vjetër në muaj.  

Babai i  tij Zamir Poka, në një intervistë për “DurrësLajm”, pohoi se mjekët i kanë thënë që mundësia për të shpëtuar është jashtë vendit, pasi sëmundja i ka prekur një këmbë dhe po i përhapet në mëlçi.

Zamir, cili është problemi juaj?

Kam djalin e madh që vuan nga tumori. Nesër duhet ta çojmë në Tiranë për t’i bërë seancën e tretë të kimioterapisë. Është shumë i sëmurë, e nuk di si ta ndihmoj. Vuan nga tumori, dhe ka bërë dy seanca deri tani.  

Nuk shkon më në shkollë djali?

Jo, u bë kohë që nuk shkon, sepse nuk është në gjendje është me ilaçe të rënda. Unë si prind bëra çfarë ishte e mundur për ta kuruar, mora 2 milionë lekë kredi në bankë dhe jemi zhytur në borxhe. Më ndihmuan sa patën mundësi të afërmit, tani kemi mbetur.

Kush punon në familjen tuaj?

Përveç gruas që merr 200 mijë të vjetër në rrobaqepësi, asnjë tjetër. Nëna ime është pa pension, unë kam mbetur pa punë sepse ndjek djalin në spital.

Çfarë kërkoni ju?

Nëse na ndihmon dikush për djalin, mjekja Anila Godo na ka thënë që jashtë vendit mund të shpëtojë për sëmundjen që ka. Unë nuk kam lekë ta çoj nesër me taksi në Tiranë për të bërë kimioterapinë, ndërsa gruaja është e vetmja që punon. Nuk kemi paguar as dritat se nuk kemi asgjë.   

Ndiqni prononcimin e babit dhe të gjyshes.

Numri i llogarisë së nënës së djalit, Desdemona Poka, ku mund të kontribuojë çdokush, është ky: 0000146717 në Raffeisenbank

K.H.