Çfarë janë llogaritë bankare të fshehura të quajtura ndryshe off-shore? Llogari të tilla janë në “det të hapur” në disa ishuj të Paqësorit, ku rregullat nuk kanë shumë rëndësi. Milionerët mund të depozitojnë paratë atje pa pasur nevojë për shpjegime të hollësishme.

Skandali i shpërthyer së fundi në mediat ndërkombëtare ka nxjerrë në dritë mijëra llogari të fshehura të politikanëve, biznesmenëve të fuqishëm, por edhe yjeve tejet të paguar, të cilët fshehin llogaritë e tyre në vendet përkatëse dhe i transferojnë ato në “Parajsa Fiskale”, për t’iu shmangur kështu taksave në vendin e tyre apo shmangies së sekuestros në raste kur janë vënë në mënyrë të paligjshme.

Duke shkruar për skandalin e fundit “Papers Panama”, BBC shkruan se në një rast, një milioner amerikan nëpërmjet të dhënave të rreme të pronësisë arriti të fshihte paratë nga autoritetet, duke përdorur kompaninë panameze “Mossack Fonseca”.

Në Amerikë, atij do t’i ishin sekuestruar pasuritë. Mënyra e përdorur është në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare të hartuara për të ndaluar pastrimin e parave dhe evazionit fiskal.

Metodën e përdorin tejet shumë politikanët, të cilët nëpërmjet të afërmve të tyre arrijnë të transferuar paratë në ishujt ku nuk ka rregulla strikte. Në lojë, me sa duket janë përfshirë shumë krerë shtetesh si Presidenti i Kinës apo Presidenti i Rusisë.

“Off-shore” ka të bëjë kryesisht me vendet që kanë rregulla strikte të sekretit bankar, ku nuk lejohet madje as hetimi i policisë. Një prej këtyre vendeve në Evropë Zvicra, Luksemburgu apo Andora. Të pasurit mund t’i fshehin pasuritë e tyre me emra të tjerë dhe askush nuk mund t’u kërkojë llogari.

Pra, llogaritë bankare në këto vende nuk mund të hetohen nga autoritetet. Synimi është favorizimi i bankave për të shtuar kapitalet e tyre dhe nga ana tjetër, bankat nuk u kërkojnë të dhëna ekstra klientëve të tyre kur depozitojnë ose transferojnë paratë.

Çfarë janë bankat, ose institucionet financiare “off-shore”

Një bankë “off-shore” është një bankë me vendndodhje jashtë vendit rezident të depozituesit, zakonisht në një vend me një juridiksion taksash të ulëta, ose i ashtuquajtur “tax heaven”, që të ofron avantazhe financiare dhe fiskale. Këto avantazhe zakonisht përfshijnë:

Privatësi më të madhe se sa bankat e zakonshme, pra një ligj të sekretit bankar më të fortë. (parimi i sekretit bankar lindi në vitin 1934, me Ligjin e Bankave Zvicerane)

Taksim të ulët apo edhe inekzistent

Akses shumë të lehtë në depozitën tënde

Mbrojtje ndaj mungesës lokale të stabilitetit, qoftë politik apo ekonomik.

Termi vjen nga “Channel Island”, të cilat ishin “off-shore” apo “jashtë” Britanisë së Madhe. Jo më kot, shumica e këtyre parajsave janë ishuj të lidhur me Britaninë, nën zotërimin e saj apo ish-koloni britanike, kryesisht në ishujt e Paqësorit. Këto banka kanë shërbyer në vijimësi si “strehë” për krimin e organizuar, duke i fshehur kështu pasuritë nga “ekonomia zyrtare”.

/Ora News