Policia e Shtetit ka finalizuar, në Selenicë të Vlorës, operacionin antidrogë të koduar "Resulaj", ku janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar 22,32 kg lëndë narkotike, e llojit Cannabis sativa. Burimet zyrtare policore bëjnë të ditur se në pranga janë vënë shtetasit F. Z., 30 vjeç, banues në fshatin Resulaj, dhe P. B., 50 vjeç, banues në Selenicë.
Uniformat blu të Drejtorisë së Policisë së Shtetit në Qarkun e Vlorës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të këtyre dy personave në aksin rrugor Resulaj – Selenicë, pasi në automjetin tip Audi, me targë VL 5011 C, në pronësi të shtetasit F. Z., u gjet sasia e lëndës narkotike të sekuestruar.
Ndërkohë, gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e shtetasve F. Z. dhe P. B. u gjetën edhe sasi të tjera nga lënda narkotike.





