Statuja e Nënë Terezës do të vendoset nesër në Qafë Thanë. Para se të vendoset në destinacionin e ri, ajo iu nënshtrua edhe restaurimit nga specialistët. Ishin pikërisht specialistët e Qendrës së Restaurimit të Veprave të Artit që i bënë propozim Ministrisë së Kulturës se cili është vendi më i përshtatshëm i vendosjes së saj. Sipas tyre, pozicioni më domethënës është ai i rrethrrotullimit në Qafë Thanë, duke e afruar kështu humanisten e madhe shqiptarë më shumë me vendlindjen e saj. Sipas specialistëve, pjesa ballore e statujës, pra e fytyrës së saj, do të qëndrojë me pamje nga Maqedonia, duke i dhënë më shumë prezencë dhe simbolikë.
Njëkohësisht, ky pozicion simbolizon edhe mirëseardhjen e të gjithë të huajve në Shqipëri. Ministria e Kulturës mori në konsideratë propozimin e specialistëve dhe i kërkoi Këshillit Kombëtar të Territorit që të miratojë vendin e vendosjes së saj. Gjatë këtyre ditëve është punuar mjaft nga Bashkia e Përrenjasit për sistemimin e vendit ku do të vendoset statuja.
Statuja e Nënë Terezës u hoq para pak kohësh nga sheshi që mban edhe emrin e saj, në Tiranë, për t'i hapur rrugë një projekti për rehabilitimin e plotë të tij.





