El Clasico që luhet sot në mbrëmje mes Barcelonës dhe Realit i Madridit është një sfidë edhe e pankinave, ku përballë do të jenë Luis Enrike dhe Zinedine Zidane, aktualisht trajnerët e skuadrave.
Janë dy personalitete që e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë të luash “Klasiken” e La Ligës, duke qenë se e kanë përjetuar edhe në fushën e lojës si futbollistë për 3 sezone. Në 5 raste Luis Enrique e Zidane janë përballur me njëri-tjetrin me Barcelonën e Realin, madje duke u bërë pjesë e historisë së tensioneve që kanë ekzistuar mes këtyre dy gjigantëve spanjollë.
Më 19 prill të vitit 2003, në sfidën e luajtur në Bernabeu gjërat kaluan çdo limit dhe shkak u bë francezi që fillimisht goditi Pujol gjatë një lufte për topin për t'u kapur më pas me Luis Enriken që e kritikoi për aksionin e tij duke e goditur në fytyrë asturianin. Luis Enrike në konferencën për shtyp para ndeshjes e minimizoi episodin e atij viti duke deklaruar se janë gjëra që ndodhin në fushën e lojës. Por në të vërtetë ajo ngjarje është më shumë sesa një episod, pasi pasqyron temperamentin e të dy këtyre personaliteteve të futbollit.
Pikërisht karakteri i tyre garanton një ndeshje të ndezur mes dy skuadrave, pavarësisht situatave që po përjetojnë ato në kampionat.Luis Enrike e ndjen shumë sfidën me Realin e Madridid. Ka pasur një të kaluar me Los Blancos dhe historia me këtë klub përfundoi shumë keq, gjë të cilën asturiani nuk e harron. Për sfidën e sotme kërkon një ambient të ndezur duke theksuar se ndeshjet me Realin asnjëherë nuk janë shëtitje.
Zidane e pranoi sfidën dhe do të japë gjithçka dhe do të jetë i pëgatitur për këtë betejë të radhës që këtë herë do të jetë nga pankinat, në një distancë më të madhe mes tyre se ajo e betejës së 13 viteve më parë.