Një ngjarje e rëndë ndodhi ditën e sotme në qytetin e Shkodrës ku një person u gjet i vrarë me armë zjarri brenda automjetit të tij. Viktima u identifikua si Aleksandër Koçeku. Përmes një njoftimi zyrtar policia bëri me dije se ai është është gjetur në automjet pa shenja jete, në aksin rrugor Prekal–Kir.
Por detaje të reja kanë dalë në lidhje me këtë ngjarje, ku hetimet zhvendosen te pista e hakmarrjes. Kjo pasi, viktima Aleksandër Koçeku është vëllai i Vasel Koçekut, i arrestuar për vrasjen e 20-vjeçarit Pavlin Preka në 26 shkurt 2025.
Detaje nga vrasja e Prekës
Ngjarje e ndodhur më 20 shkurt të 2025 në zonën e Gucisë së Re, njësia administrative Rrethina të Shkodrës. Burimet hetimore, dyshojnë se vrasja mund të ketë pasur si motiv një konflikt të gjatë që lidhet me dëshirën e viktimës për t’u fejuar me vajzën e Vasel Koçekut, e cila asokohe ishte 13-vjeç.
Historia nis rreth tre vite më parë, kur Pavlin Preka i kishte kërkuar dorën për fejesë familjes Koçeku. Në atë kohë, vajza ishte vetëm 13 vjeçe, sot 16-vjeç, ndërsa Preka 17 vjeç. Kërkesa ishte refuzuar menjëherë nga babai i saj, Koçeku, me argumentin se vajza ishte e mitur. Megjithatë, gjatë viteve në vijim, Preka ka vijuar këmbëngulje për vajzën, duke shprehur ndjenjat e tij edhe tek persona të tjerë.
Familja Koçeku nuk e ka pranuar, duke e konsideruar të papranueshme për shkak të moshës së mitur të vajzës ndërsa disa herë i kanë shkuar fjalë se çfarë thoshte viktima. Sipas hetimeve dyshohet se mëngjesin e 20 shkurtit, Klaudio Lisaj, i njohur i viktimës dhe i familjes Koçeku, e ka nxjerrë Pavlin Prekën nga banesa e tij në Guci të Re. Më pas, sipas dyshimeve të prokurorisë, Vasel Koçeku e ka qëlluar me armë zjarri, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme.
Trupi i pajetë i 20-vjeçarit u gjet disa orë më vonë nga familjarët, pasi ai nuk u përgjigjej thirrjeve telefonike. I afërmi i tij, konkretisht xhaxhai i viktimës, u tha autoriteve që Pavlin Preka nuk kishte pasur probleme me njeri dhe se jetonte i qetë dhe pa trazira mes Shkodrës dhe Dukagjinit. Hetimet për vrasjen e Pavlin Prekës vijojnë, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe motiveve të kësaj ngjarjeje të rëndë që tronditi Shkodrën 10 muaj më parë.





