Takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor u mbyll me premtimin për të rritur bashkëpunimin, por edhe me pritshmëritë që Bashkimi Evropian të mbajë premtimet e dhëna, për të ndihmuar në zhvillimin ekonomik të rajonit, veçanërisht në ndërtimin e arterieve ndërlidhëse të transportit. Në këtë pikë të fundit, komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerimin Johannes Hahn njoftoi akordimin e një fondi prej 150 milionë euro për zbatimin e projekteve në infrastrukturë.
Takimi u zhvillua në Durrës për të debatuar mbi nismat dhe projektet e përbashkëta rajonale, me qëllim paraqitjen e tyre në Samitin e Parisit, që do të zhvillohet pas disa muajsh. Takimi u zhvillua pas Samitit të Vjenës, vitin e kaluar, ku u hodhën piketat e bashkëpunimit rajonal, në vijim të Proçesit të Berlinit, si kushti kryesor për të nxitur integrimin në Bashkimin Evropian.
Pjesë e kësaj iniciative integruese janë vendet e Ballkanit, që ende nuk janë anëtarësuar në Bashkimin Evropian: Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Serbia dhe Shqipëria. Në ndihmë të kësaj nisme janë ofruar Kroacia dhe Sllovenia, si edhe vetë Bashkimi Evropian.
Samiti i Vjenës, i viti të kaluar, doli me një deklaratë të përbashkët ku, krahas komponentit politik të bashkëpunimit, si: perspektiva evropiane e rajonit, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve, lufta kundër ekstremizmit, shteti së drejtës dhe sundimi i ligjit, etj., theksi vihej tek bashkëpunimi rajonal për nxitjen e zhvillimit ekonomik: hapja e tregjeve, ndërlidhja e burimeve energjitike, ndërlidhje e rrjeteve të transportit, lehtësimi i lëvizjes, nxitja e kërkimit shkencor dhe e përgatitjes profesionale, shkëmbimi i eksperiencave dhe bashkëpunimi mes të rinjve, etj.
Takimi në Durrës, kërkohet konkretizimi i projekteve të Vjenës
Në takimin e zhvilluar në Durrës, të gjithë ministrat e jashtëm të Ballkanit Perëndimor theksuan nevojën e bashkëpunimit, por më shumë theksuan domosdoshmërinë e Bashkimit Evropian për të investuar dhe konkretizuar projektet rajonale në infrastrukturë.
Nikola Poposki, ministri i jashtëm maqedonas, tha se "infrastruktura ndërlidhëse është e nevojshme për t’i bërë kufijtë gjithnjë e më pak të rëndësishëm." Ndërkohë, ministri i jashtëm malazes Igor Luksic theksoi se "ne kemi nevojë të koordinojmë më mirë projektet, të modernizojmë administratën publike dhe të shkëmbejmë eksperienca, veçanërisht mes të rinjve." Të njëjtën gjë theksoi edhe ministri i jashtëm në detyrë kosovar Petrit Selimi teksa tha se "nevojiten mekanizma të rinj për brezin e ri për të ndërvepruar, duke ndjekur edhe shembujt e bashkëpunimit franko-gjerman." Njëkohësisht, Selimi vlerësoi edhe rolin e Grupit të Vishegradit si lehtësues i nismave rajonale të bashkëpunimit. "Grupi i Vishegradit mund të ofrojë hapësira për sinergji," – tha ministri i jashtëm në detyrë i Kosovës.
Ministri i jashtëm çek Lubomir Zaoralek, vendi i të cilit ka kryesimin e radhës së Grupit të Vishegradit, shtoi se "Grupi i Vishegradit është i gatshëm të ofrojë asistencë të vazhdueshme vendeve të Ballkanit Perëndimor për projektet e përbashkëta dhe integrimin e mëtejshëm në Bashkimin Evropian."
Në fakt, takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor i kishte dhënë rëndësi bashkëpunimit edhe me Grupin e Vishegradit, duke i dhënë kësaj pjesë një seancë të veçantë diskutimesh dhe debati.
Roksanda Nincic, sekretarja e shtetit për punët e jashtme e Serbisë, tha se "takime të tilla rajonale janë të nevojshme pasi ne duhet ta njohim më mirë njëri-tjetrin për të bashkëpunuar dhe prodhuar projekte bashkëpunimi rajonalë." Igor Crnadak, ministri i jashtëm i Bosnje-Hercegovinës, tha se "pritshmëritë nga Simiti i Parisit janë të larta."
Ndërkohë, në fjalën e tij në takim, Johannes Hahn, komisioneri i Bashkimit Evropian për zgjerim, tha se "për të qenë të suksesshëm në Samitin e Parisit duhet që konkluzionet që dolën nga Samiti i Vjenës të bëhen realitet." "Kjo ka lidhje me bashkëpunimin në fushën e energjisë, transportit, rritjen e konkurrueshmërisë, etj. – tha komisioneri Hahn. – Axhenda e ndërlidhjes duhet çuar përpara me projekte konkrete."
Komisioneri Hahn shprehu mbështetjen e Komisionit Evropian për financimin deri në 150 milionë euro në Samitin e Parisit për projektet që do të vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor, aprovimi i të cilave do të varet nga cilësia e projekteve. Megjithatë, duket se në këtë fazë të parë, projektet rajonale që do të investohen do të jenë ato që lidhen me energjinë. "Gjatë një takimi të zhvilluar në Bruksel mes ministrave të transportit dhe energjisë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Komisionit, ne ramë dakord që të krijojmë një masterplan në fushën e energjisë hidrike. Gjithashtu, jemi të fokusuar edhe në fuqizimin e rrjeteve aktuale të energjisë në Ballkanin Perëndimor," – u shpreh komisioneri Hahn.
Pavarësisht se takimi i ministrave të jashtëm të vendeve të Ballkanit Perëndimor, si hallkë e Proçesit të Berlinit, ka në themel rritjen dhe konsolidimin e bashkëpunimit, inatet e vjetra nuk mbetën pa dalë në shesh. Prania në tavolinë, me të drejta të plota, edhe e ministrit të jashtëm të Kosovës bëri që Serbia të përfaqësohej në nivel zëvëndësministri, me sekretaren e shtetit Roksanda Nincic, ndonëse kjo gjë nuk u vu në dukje nga asnjë prej palëve.
N. H.





