Shqipëria fitoi mbrëmjen e së martës ndeshjen miqësore ndaj Luksemburgut me rezultatin 2-0. Golat e shënuar nga Sadiku dhe Cikalleshi rikthyen djemtë e De Biazit te fitorja. Një mbështetje të madhe lojtarët patën edhe nga tifozët në stadiumin “Josy Barthel”.
Lajmin e konfirmon vetë Federata Shqiptare e Futbollit, e cila thotë se në stadium kanë qenë të pranishëm mbi 3000 tifozë kuqezinj, të cilët kanë bërë që skuadra përfaqësuese e Shqipërisë të ndihej si në shtëpinë e saj e jo ne transfertë. Tifozët kanë shpalosur banderola dhe flamujt kuqezi në tribuna, ndërkohë që nuk kanë reshtur për asnjë minutë së brohorituri në mbështetje të kombëtares. Atmosfera e krijuar gjatë ndeshjes ka qenë më të vërtetë e shkëlqyer.