Policia e Gjirokastrës ka finalizuar me sukses operacionin antidrogë “Prita”, duke sekuestruar 7.5 kg kanabis sativa dhe duke vënë në pranga poseduesin e saj. Sipas burime zyrtare, mësohet se u arrestua Nikolas Hamzai, 28 vjeç, banues në Sarandë, në makinën e të cilit u gjetën 7 pako me lëndë narkotike, në një pjesë poshtë sedilieve ku ishte përshtatur një hapësirë.
Arrestimi i 28-vjeçarit u krye mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, se një automjet tip “Citroen” me targa AA 861 JJ po transportonte drogë. Kështu, u ngrit një pikë kontrolli në aksin rrugor Tepelenë-Progonat në vendin e quajtur kryqëzimi i rrugës që shkon në fshatin Progonat, ku i riu u arrestua në flagrancë.
Sipas policisë, lëndën narkotike po e transportonte në drejtim të Sarandës.





