Udhëtarët dhe stafi i një avioni të kompanisë ajrore Blu Panorama janë alarmuar nga një person i dyshimtë, i cili kishte tentuar edhe të hapte derën e avionit në fluturim. Avioni ishte nisur nga Tirana dhe kishte si destinacion Bergamon, në Itali, por me sa duket pasagjeri nuk ka duruar më dhe ka dashur të zbresë sa më shpejt prej tij.
Ky person, sipas dëshmitarëve okularë, ka tentuar të hapë derën e daljes së sigurisë, në afërsi të krahëve të avionit. Raportohet se pasagjeri fliste disi përçart dhe qeshte në mënyrë të pavetëdijshme. Të ndodhur në këto kushte, disa prej pasagjerëve e kanë ndalur dhe më pas me të është marrë stafi i sigurisë së avionit.
Sapo avioni është ulur në Itali, ky person është arrestuar nga autoritetet atje.
Ende nuk dihet nëse personi ka qenë i dehur, me të probleme mendore apo diçka tjetër. Megjithatë, autoritetet italiane janë duke kryer veprimet e nevojshme për të sqaruar këtë situatë, e cila për disa minuta tmerroi pasagjerët e avionit.