Goditet një bandë e trafikut të drogës në Kosovë, pjesë e së cilës janë katër shqiptarë nga Shqipëria dhe 3 shqiptarë nga Kosova.
Operacioni policor është realizuar një ditë më parë në rrugën “Luan Haradinaj” dhe “Shaban Shala” në Prishtinë, ku policia gjatë kontrollit në njërën nga makinat me targa shqiptare, në të cilën po udhëtonin 4 shqiptarët, ka gjetur në gomën rezervë të automjetit 1867.8 gramë marijuanë.
Më pas është kontrolluar një shtëpi e dyshuar dhe janë arrestuar edhe dy meshkuj dhe një femër shqiptare e Kosovës, pasi dyshohet se janë të përfshirë në të njëjtin grup. Me vendim të prokurorit, shtatë personave të dyshuar iu është caktuar masa e ndalimit dhe janë dërguar në qeli.





