Kombëtarja shqiptare është mundur sot 2-1 në Vjenë nga Austria. Miqësorja e parë e kuqezinjve në kuadër të përgatitjeve të Europianit është mbyllur me humbje. Goli i Lenjanit në pjesën e dytë vetëm sa i ka dhënë zemnër ekipit shqiptar që ka luajtur mjaft mirë dhe ka pasur mundësinë të barazonte.
Pjesa e parë- Ndeshja nis me një presion të jashtëzakonshëm të vendasve të cilët që në sekondat e para vënë në provë Etrit Berishën. Goli vjen menjëherë që në minutën e gjashtë. Gabim në mbrojtjen tonë, përfiton Janko i cili shmang bukur edhe Agollin dhe më pas e dërgon topin në rrjetë. Goli i shokon totalisht të bësuarit e De Biazit të cilët e kanë të veshtirë të organizohen. Austria është zot i fushës dhe dhe krijon rastë të njëpasnjëshme. Goli i dytë vjen në minutën e 14 ku sërish si rrjedhojë e një gabimi. Mavraj lë topin të kalojë mbrapa te portieri dhe Harnik përfiton duke dalë i vetëm dhe duke realizuar edhe golin e dytë. 2-0 dhe Shqipëria është e befasuar. Kjo nisje kaq e keqe kishte kohë që nuk i ndodhte Përfaqësueses kuqezi. Vendasit pas dy golave, ulin disi ritmin dhe mundohen të administrojnë lojën. Shqipëria përpiqet të sulmojë, por është e pafuqishme në aksionet që ndërton. Pjesa e parë mbyllet në shifrat 2-0.
Pjesa e dytë- Fraksioni i dytë nis me ndryshime për kuqezinjtë. De Biazi hedh në fushë Cikalleshin dhe Roshin duke larguar Balajn dhe Lilën që ishin në hije gjatë pjesës së parë. Me futjen e këtyre të dyve ritet më shumë presioni i tanëve që gjejnë mënjëherë golin. Në minutën e 47 është Lenjani që rrëmben një top në mesfushë dhe niset me shpejtëzi drejt portës. Del i vetëm dhe godet me të majtën duke realizuar një gol mjaft të bukur. Ngushtohen diferencat. Pas golit kuqezinjtë marrin zemër dhe nisin të kërkojnë me ngulm edhe golin e barazimit. Në minutën e 56′ Cana në ndihmë të sulmit merr një pasim perfekt, tenton me kokë, por nuk kordinohet si duhet dhe shpërdoron. Edhe në minutat e ardhshme vazhdojnë të mbeten përpara djemtë e De Biazit. Austria mbrohet mirë dhe administron rezultatin. Në minutën e 78′ Kaçe merrkartonin e dytë te verdhë dhe lë Shqipërinë me 10 lojtarë.
Pas këtij episodi gjithçka bëhet më e vështirë për kuqezinjtë që pavarësisht sulmeve nuk arrijnë të realizojnë. Mbyllet gjithçka 2-1 dhe Shqipëria pëson një humbje që nuk djeg shumë, duke parë lojën e mirë në pjesën e dytë. Tashmë miqësorja e radhës është ditën e martë ndaj Luksemburgut.