Kryetarja e Bashkisë së Durrësit Emiriana Sako ka zhvilluar një takim me banorët e Manzës ku ka prezantuar projektin e zonës së rindërtimit në këtë njësi administrative. Kryebashkiakja Sako deklaroi se vetëm në njësinë administrative të Manzës po rindërtohen 300 banesa individuale dhe banorët do të futen në shtëpi të reja më të sigurta se më parë dhe me standarte mjaft të mira. Në lidhje me zonën e rindërtimit në Manzë kryebashkiakja Sako u shpreh se kjo do të jetë një lagje model urbane me të gjithë infrastrukturën përkatëse. Në këtë lagje të re do të ketë 9 objekte banimi me 5 dhe 6 kate ku do të strehohen 226 familje që kanë humbur shtëpitë si pasojë e tërmetit, do të ketë zona parkimi, objekte shërbimi, qendër shëndetësore, qendër multifunksionale, shkollë, kopësht dhe fusha sportive. Sako deklaroi se në muajin Maj do të shpallen familjet fituese që do të lidhin një kontratë paraprake me bashkinë e Durrësit e cila i bën këto familje pronare të banesave të reja. Pas ndërtimit të pallateve këto familje do të pajisen edhe me çertifikatën përkatëse të pronësisë. 

Kryebashkiakja Sako i ka njohur këta banorë edhe me ecurinë e procesit të rindërtimit në të gjithë bashkinë e Durrësit ku janë 12 mijë familje që kanë përfituar grantin e rikonstruksionit, më shumë se në 400 pallate ka përfunduar rikonstruksioni i ambienteve të përbashkëta, janë më shumë se 1000 banesa individuale që po rindërtohen, vijon procesi për përforimin e banesave me shkallë dëmi DS4 por edhe rindërtimi i pallateve, 14 shkolla janë rindërtuar dhe 5 janë në proces ndërkohë që procesi i rindërtimit në total vijon me shpejtësi. Sako shtoi se i gjithë procesi i rindërtimit duke përfshirë edhe lagjen e re në Manzë është bërë i mundur falë mbështetjes maksimale të qeverisë dhe kryeministrit Rama dhe falë këtij përkushtimi i gjithë ky proces do të përfundojë në pranverën e vitit 2022.