Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit dhe tani edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, është duke përgatitur terrenin për të instaluar dialog me partitë opozitare në funksion të tejkalimit të krizës politike në Kosovë. Qysh javën e kaluar, kreu i Kuvendit paralajmëroi se shumë shpejt do të ketë iniciativë nga ai dhe se oferta do të jetë serioze. Por, sipas burimeve, këtë ofertë Veseli do ta bëjë pasi të përmbushen dy procese.
E para, është inaugurimi i Hashim Thaçit në krye të Kosovës dhe, e dyta, zgjedhja e vetë Veselit edhe zyrtarisht në krye të PDK. Në anën tjetër, për opozitën asnjë ofertë nuk është serioze derisa nuk jep dorëheqje qeveria e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa.
Kryeministri Isa Mustafa dhe ish-kreu i PDK, Hashim Thaçi, deri më tani kanë përjashtuar zgjedhjet e parakohshme si opsion për dalje nga kriza. Ata kanë akuzuar opozitën se ka shpikur kauza false me synimin për të marrë pushtetin.