Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikes, Barack Obama, do të shënohet në histori si presidenti i parë amerikan që do të zhvillojë një vizitë në Kubë, pas gati nëntë dekadave. Vizita dyditore do të jetë e para e një presidenti amerikan që kur Calvin Coolidge shkoi në Kubë, 88 vjet më parë. Obama do të takohet me presidentin Raul Castro, por jo me liderin revolucionar në pension Fidel Castro, dhe palët do të diskutojnë për  tregtinë dhe reformat politike.

Korrespondentët e nediave ndërkombëtare theksuan se kjo shënon një kthesë të madhe në marrëdhëniet SHBA – Kubë. Vendi ishullor po bëhet sot gjithmonë e më interesant për investitorët nga e gjithë bota, ndërsa përjeton një dyndje të turistëve amerikanë. Obama dhe Raul Castro do të ulen së bashku në një darkë, do të kenë një konferencë të përbashkët dhe do të diskutojnë për tregtinë. Shtëpia e Bardhë e ka bërë të qartë se presidenti Obama do të takohet edhe me disidentët politikë, si gratë e të burgosurve politikë, pavarësisht aprovimit ose jo të autoriteteve kubaneze.