Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) anulloi sot takimin e Këshillit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit, një mekanizëm i përbashkët me qeverinë e Kosovës, duke kërkuar, siç thuhet, një mjedis të paanshëm për gjyqësorin në vend. Në një njoftim të EULEX thuhet se "mbrëmë, në një intervistë televizive, ministri i drejtësisë ka dhënë mendimin e tij lidhur me bazueshmërinë e një rasti penal të profilit të lartë në Gjykatën e Apelit dhe e ka vënë në pikëpyetje vendimin të cilin e kanë marrë gjyqtarët në Gjykatën Themelore në Prishtinë. EULEX thekson se deklaratat e tilla mund të perceptohen si frikësim dhe ndërhyrje politike. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori të gëzojë mbështetjen e duhur për të gjykuar në një mjedis të paanshëm."

Në orët e mbrëmjes, ambasadori amerikan Greg Delawie shkroi në rrjetin social twiiter se "Shtetet e Bashkuara pajtohen. Autoritetet e Kosovës duhet të sigurojnë që gjyqësori kë ketë mbështetjen për të vendosur në një mjedis të paanshëm."

Të mërkurën, ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi kishte deklaruar se në asnjë vend në botë nuk ka aktgjykim pa prova, duke ju referuar dënimit me 12 vjet heqje lirie të ish-komandantit të Zonës së Parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Sami Lushtaku, nën akuzat për krime lufte. Lushtaku është shpallur fajtor për veprën penale të vrasjes së një civili të panjohur shqiptar në shtator të vitit 1998. Rasti i tij aktualisht është duke u shqyrtuar në Gjykatën e Apelit.

Por, sot, ministri Kuçi u tha medieve në Prishtinë se ka biseduar me shefin e EULEX, Gabriele Meucci, dhe se keqkuptimi është tejkaluar.