Në Durrës vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Në kuadër të operacionit të koduar “Wanted 37”, u kap një shtetas i dënuar në Itali, me 14 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike.

“Si rezultat i koordinimit informativ dhe operacional me homologët në Itali, nëpërmjet Interpol Tiranës, si dhe i veprimeve të shpejta policore, specialistët e Seksionit për Mbështetjen Operacionale të Hetimit finalizuan operacionin e koduar “Wanted 37”, si rezultat i të cilit, u kap në lagjen nr. 17/1, dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Itali, shtetasi Kastriot Dyrmishi, alias Kastriot Dermishi, 43 vjeç, banues në Durrës.

Ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit, Firenze, Itali, e ka dënuar me 14 vjet burgim, për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, dënim nga i cili i kanë mbetur për të vuajtur 12 vjet, 9 muaj dhe 24 ditë burgim.“, njoftojnë blutë e Durrësit.

Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali.