Pronarët e pronave në Shqipëri gjejnë të drejtën e tyre në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Strasburg. Në një vendim të publikuar sot nga GJEDNJ, shteti shqiptar është i dënuar të paguaj 10,7 milionë euro në çështjen e ngritur Rista v. Shqipëria.

Në fakt, GJEDNJ ka shqyrtuar gjithsej shtate çështje që kanë të bëjnë me pronarë të ndryshëm nga Shqipëria. Në bazë të vendimit, qeveria shqiptare duhet të paguaj shumën brenda tre muajve, ndërsa parashikohen penalitete nëse nuk zbatohet vendimi. Ky nuk është vendimi i parë i GJEDNJ kundër Shqipërisë për çështjen e ish-pronarëve.

Në nëntor të vitit të shkuar, GJEDNJ vendosi të penalizonte shtetin shqiptar me një shumë prej 5 milionë eurosh, por vendimi i tanishëm është shifra më e lartë kundër Shqipërisë, çka vë në vështirësi financat e vendit. Padia e parë është bërë më 29 shtator 2014 nga trashëgimtarët e Kurtesh Gjikolli, i ndjekur më pas edhe nga paditës së tjerë.

Në vendim thuhet se qeveria shqiptare, e përfaqësuar nga Avokatura e Shtetit, nuk arriti të dorëzonte dhe të provonte me shkrim se pronat ishin kompensuar në mënyrë të drejtë. GJEDNJ konstaton se autoritetet shqiptare kanë dështuar gjatë shumë vitesh për të zbatuar vendimet e gjykatave në vend për të kompensuar pronarët, duke shkelur të drejtat e tyre.