Prokurori i përgjithshëm Adriatik Llalla ka firmosur urdhërin për krijimin e strukturës së posaçme për verifikimin e integritetit të zyrtarëve publikë, në zbatim të ligjit të njohur ndryshe edhe si ligji për dekriminalizimin.
Ligji “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe kreu VII i vendimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr.17 datë 04.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015”, përcakton organin e Prokurorisë si institucioni përgjegjës për verifikimin e integritetit të zyrtarëve në të gjithë administratën publike.
Bazuar në aktet ligjore të mësipërme, Prokurori i Përgjithshëm urdhëron krijimin e Sektorit të Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike, i cili do të përbëhet nga dy prokurorë, tre oficerë të Policisë Gjyqësore dhe një specialist i teknologjisë së informacionit.
Në urdhërin e Prokurorit të Përgjithshëm përcaktohen edhe detyrimet e punonjësve që do të jenë pjesë e Sektorit të Verifikimit të Integritetit të Personave që Zgjidhen, Emërohen ose Ushtrojnë Funksione Publike. Sipas këtij akti, të dhënat dhe informacionet e grumbulluara në këtë proces trajtohen në përputhje me ligjin nr. 138/2015, me Vendimin e Kuvendit nr. 17 datë 04.03.2016, si edhe me legjislacionin në fuqi për mbrojtjen e të dhënave personale.





