Në vend të kraterit ku shpërtheu “Gërdeci”dhe u hap një gropë gjigante, sot ndodhet një shesh i stërmadh çimentoje që rrethohet nga të tre anët me rrethore telash me gjemba. Në ballë është një shtyllë horizontale postblloku prej hekuri ku në qendër ka një tabelë që shkruan: “Ndal, Policia Ushtarake”.

Në të majtë të postbllokut janë rreshtuar tre kapanone parafabrikate prej duralumini. Nga njëri prej tyre del një burrë me gjatësi mesatare i veshur me të zeza.

Flet me zë të butë dhe kur i kërkon të hysh te krateri, fut dorën në xhep nxjerr një cigare, e zgjat, pastaj flet po me ngadalë: “Po, ky është krateri; s’ka, iku ai i vjetri”. Në fund të çimentos të shtruar keq, ndodhet një lapidar i mbuluar me një copë ngjyrë ushtrie.

Ceni (emri i policit ushtarak) thotë që sa të jetë ai në detyrë nuk zbulohet gjallë ai lapidar. Qesh dhe shton: “Nesër do vijë qeveria ta zbulojë. Atëherë mbaron dhe puna ime. Kjo copë tokë do t’i kthehet bashkisë së Vorës”.

Në fakt në Gërdec ndodhen dy lapidarë, njëri i bërë në kohën e qeverisë “Berisha” ku shkruhet se Gërdeci ka qenë “aksident teknologjik” dhe një tjetër që thotë të kundërtën por ende nuk është zbuluar.

Një burrë i moshuar poshtë kraterit mban një lopë në dorë; Xhafë ia thonë emrin. Ai tregon disa nga të vërtetat e hidhura të Gërdecit që nuk janë treguar kurrë këto tetë vjet.

Duke e mbajtur litarin fort, se laramania i ikën, thotë se nga të gjitha shtëpitë e Gërdecit vetëm njëra ka mbetur pa rregulluar.

“Atëherë u ndanë lekët me shpejtësi. Ishin zgjedhjet e vitit 2009 dhe u bë një rrëmujë. Një kasolle u çmua më shumë se një shtëpie e madhe, vetëm se kishte më shumë votues. Sa më shumë votues aq më shumë u mor”, thotë ai.

Gati një kilometër nga krateri jeton Zamira Durda, njeriu simbol i Gërdecit, e cila humbi djalin më 15 mars 2008.

E vetme ajo po udhëheq me një grup avokatësh betejat gjyqësore që edhe pse i ka humbur thotë se nuk do të ndalet.

“Edhe sikur paratë e bankave të botës të më japin, unë nuk do të ndalem së kërkuari drejtësi”, thotë ajo për "tesheshi.com" pasi na fton në shtëpinë e saj, e na gostit me ëmbëlsira të bëra vetë.

“Prisja avokatët e familjeve të Gërdecit për vizitë”, thotë Zamira e cila shton se nuk ka dijeni për ceremoninë që do të bëjë sot qeveria në Gërdec.

Ajo punon në Bashkinë e Vorës, e marrë nga kryetari i bashkisë Fiqiri Ismaili, për të cilin ruan respekt dhe thotë se është një zyrtar shembullor i shtetit

Erisoni, djali i Zamirës, po luante me biçikletë në 15 marsin 2008, ku shpërtheu punishtja e tmerrshme e demontimit të municioneve.

Bashkë me të edhe 25 vetë të tjerë.

Vetëm 6 ishin nga Gërdeci, 20 të tjerë ishin nga qytete dhe fshatra të tjerë. Por askush nuk i di dhe nuk është folur për ta. Vetëm pak për baxhanakun e ish-kryeministrit Berisha.

Viktima të një aksidenti teknologjik, për të cilët asnjë s’mban përgjegjësi por vetëm që përdoren nga politika për fushata elektorale.

Po ç’ndodhi në Gërdec 8 vjet më parë?!

Me lejen e qeverisë u ngrit një fabrikë e demontimit të municioneve dhe paketimit të fishekëve. U ndërtua në një zonë të banuar jashtë çdo parametri sigurie vetëm për një fakt të thjeshtë: që kompania e tregtimit ta kishte afër aeroportin e Rinasit dhe të mos shpenzonte për transport. Aty u ngritën disa kapanone prej dërrase dhe punonin madje edhe fëmijë, që ndanin barotin nga skrapi. Një shkëndijë e ardhur nga një karrocë ndezi, e më pas hodhi në erë të gjithë lëndën eksplozive që gjendej në kapanonet e kthyera në magazinë. Gjithçka u kthye në makth, katastrofë, hetime, polemika, famë, dhe sot edhe film në Hollivud.

E gjitha u bë për para, dhe më pas kur ndodhi, u bë gjithçka për ta mbuluar, gjë që  çoi në shkatërrim dhe drejtësinë.

Ndërkaq, një fakt që nuk është folur shumë. Një anëtar i Gjykatës së Lartë humbi një njeri në Gërdec. Vetëm familja e tij mori dëmshpërblim direkt, jo të tjerët. Ndaj dhe Zamira nuk ka besim tek e ashtuquajtura “reformë në drejtësi”.

“Të gjithë njësoj janë”, thotë ajo që kërkon vetëm ta lejojnë që të përfaqësojnë veten e saj në proces ku të mbrojë akuzën ndaj atyre që i vranë djalin…

Nga Ylli Pata

/tesheshi.com/