Ministri i punëve të jashtme Ditmir Bushati zhvilloi sot një takim me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme kineze, të kryesuar nga një prej drejtuesve më të lartë të saj, Liu Haixing. Gjatë takimit, palët diskutuan mbi zhvillimet më të fundit në rajonet respektive, klimën shumë të mirë të bashkëpunimit dypalësh midis Shqipërisë dhe Kinës, nivelin e dialogut politik dhe shkëmbimit të vizitave të nivelit të lartë. Ministri Bushati shprehu vullnetin e palës shqiptare për forcimin e mëtejshëm të dialogut ndërshtetëror në të gjitha nivelet, duke u ndalur në atë qeveritar, parlamentar, akademik dhe kulturor.
Palët theksuan nevojën e rritjes së bashkëpunimit ekonomiko-tregtar në fusha, si energjia, minierat, bujqësia, dhe, në këtë kontekst, ministri Bushati kërkoi nga pala kineze mbështetje për projekte konkrete. Ministri Bushati rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për thellimin e bashkëpunimit në drejtim të zhvillimit të infrastrukturës rrugore, hekurudhore, detare dhe ajrore në funksion te përfitimit të ndërsjellë. Në takim u shpreh gatishmëria për të diskutuar në mënyrë aktive mbi bashkëpunimin për ndërtimin e rrjeteve të transportit rajonal, Vizita e delegacionit kinez në Ministrinë e Punëve të Jashtme u pasua më tej me zhvillimin e konsultimeve diplomatike mes Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Popullore të Kinës.





