Një 25-vjeçare shqiptare humbi jetën në Itali pasi u përplas tragjikisht nga një makinë, ndërsa ishte duke ecur buzë rrugës me bashkëshortin e saj, të sapomartuar, dhe me vajzën e tyre të vogël. Besarta Beqiraj, e cila ishte mbesa e juristit të njohur Idajet Beqiri, u përplas për vdekje nga një autoveturë në sheshin “Evropa”, në Crema të Italisë, ndërsa shoferi i papërgjegjshëm nuk ndali t’i ndihmonte, por u largua me shpejtësi, ndërsa bashkëshorti i saj u dëmtua.

Besarta Beqiraj u transportua menjëherë në spitalin e Bergamos, por nuk mundi t’i rezistojë plagëve të marra nga goditja e fortë e makinës. Sipas hetimeve të kryera deri më tani nga autoritetet italiane, makina që përplasi shqiptaren është një Fiat, prodhuar në vitin 2005. Autori, i cili ende nuk është identifikuar, rrezikon të dënohet nga 1 deri në 3 vjet burg dhe pezullim të patentës nga 18 muaj deri në 5 vjet.