Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka pritur sot një delegacion turk të kryesuar nga ministri i shtetit për marrëdhëniet me parlamentin Ahmet Gundogdu dhe ka konfirmuar se do të vizitojë Turqinë së afërmi, i ftuar zyrtarisht prej tij. Ministri turk Gundogdu, së bashku me një grup deputetësh, vizituan Shqipërinë për të marrë pjesë në simpoziumin dyditor të organizuar në nderim të figurës së Mehmet Akif Ersoit, personalitetit me origjinë shqiptare, i cili shkroi himnin e Turqisë.

Ministri turk Gundogdu tha se "e falënderojmë shumë kryetarin e Kuvendit që priti delegacionin tonë të Sindikatave të Arsimit të Turqisë, deputetët e parlamentit tonë të qytetit të Stambollit, të Konjës dhe Urfës." "Kjo është një vizitë që bëhet për të forcuar marrëdhëniet vëllazërore midis dy vendeve tona. Vëllazëria forcohet duke vizituar njëri-tjetrin dhe delegacioni i fundit i shtetit tonë ka qenë kryetari i parlamentit të Turqisë, që ka vizituar Shqipërisë, dhe tani e ftuam z. Ilir Meta që të vizitojë shtetin tonë," – tha ai.

"Do të shprehja kënaqësinë time për takimin që bëmë me ministrin e shtetit të parlamentit të Turqisë dhe me deputetët dhe Sindikatën e Arsimit që po vizitojnë vendin tonë, – tha kryeparlamentari Meta. – Sikurse e konfirmuam edhe gjatë takimit tonë, marrëdhëniet midis dy vendeve, pra midis Shqipërisë dhe Turqisë, janë të shkëlqyera dhe të gjithanshme. Marrëdhëniet midis dy parlamenteve tona po ashtu. Pranova me kënaqësi ftesën për të vizituar Turqinë së afërmi, duke qenë se kemi një kryetar të ri të parlamentit në Turqi, por marrëdhëniet tona dihet që janë mjaft solide dhe tradicionale."