Dy partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, kanë marrë vendim që të bojkotojnë punën e Kuvendit për një kohë të pacaktuar, ndërsa Levizja Vetëvendosje ende nuk ka një qëndrim përfundimtar nëse do ta bojkotojë punën e legjislativit.
Sot, kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, i ftoi të gjithë kolegët opozitarë që të mos marrin më pjesë në seancat plenare deri në shpërndarjen e parlamentit. "Kjo dalje nënkupton rritjen e një kundërshtimi opozitar, kthim te qytetari, me qëllim që edhe mandatin t’ia kthejmë qytetarit, pra ta dërgojmë vendin në zgjedhje. Dalja është për një kohë të pacaktuar, është bojkot ndaj parlamentit. Kjo, me idenë që vendi të dërgohet në zgjedhje të parakohshme," – është shprehur Ramush Haradinaj.
E ndërsa për bojkotin e Kuvendit ende nuk kanë qëndrim unik, partitë opozitare po punojnë bashkë për organizimin e protestës që kanë ftuar të mbahet më 26 mars, në Prishtinë.