355 të rinj nga i gjithë qarku i Durrësit, 36 prej të cilëve femra, janë dyndur para drejtorisë së policisë të qarkut Durrës, për t’u bërë pjesë e konkursit për patrullën e përgjithshme.

Prej orës 7 të mëngjesit janë dyndur konkurrentët meshkuj, ndërsa në mesditë ka qenë radha për femrat. Të rinjtë që duan të bëhen pjesë e policisë së shtetit, hapjen e konkursit e shikojnë si një mundësi të mirë punësimi në të ardhmen, disa prej tyre e kanë ëndërr të jenë pjesë e strukturave të policisë, të tjerë si mundësi për të bërë karrierë në polici.

Midis konkurrentëve, një pjesë janë me arsim të lartë, ndërsa pjesa dërrmuese janë me arsim të mesëm.

Këtë vit, fluksi i të rinjve që kërkojnë të aplikojnë për konkursin e Patrullës së Përgjithshme nga Durrësi është shumë më i lartë se vitet e shkuara.   

K.H.