Dyshimet se klori i ujit përmban kimikate kancerogjene, kanë bërë që Prokuroria e Barit të fillojë menjëherë hetimet për zbardhjen e çështjes. Klori i përdorur në ujësjellësin e Pulias mund të përmbajë Bromate, një substance e konsideruar kancerogjene. Pas publikimit te lajmit nga gazeta italiane Gazzeta del Mezzogiorno shqetësimi u ngrit edhe ne Shqipëri, pasi kompania qe ka furnizuar ne mënyrë të pandërprerë ujësjellësin në Pulia ka furnizuar me klor edhe disa prej ujësjellësve në vend.
Shefi i Departamentit të Shëndetit dhe Mjedisit në Institutin e Shëndetit Publik Arben Luzati thotë se nga klori çlirohen kimikate, por ende nuk është verifikuar në qoftë se janë, apo jo kancerogjene.
Sipas tij, analizat e ujit kryhen çdo dite ne 570 pika te ndryshme, por nuk janë konstatuar përmbajtje klori mbi normat e përcaktuara.
Tubacionet e amortizuara kanë bërë që sasia e klorit që përdoret në ujësjellësit e vendit tonë të jetë më e lartë nga sasia e përdorur në vendet europiane.