Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) ka çelur sot procedurat e aplikimit për subvencionimin e fermerëve që kanë interes të investojnë në prodhimin bujqësor në sera. Kjo është një nga tetë skemat mbështetëse që do të financojë qeveria gjatë vitit 2016 në sektorin e bujqësisë dhe agrobiznesit. Më pas do të hapen edhe aplikimet për sektorë të tjerë investimi:

  1. Investimet për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve për të garantuar furnizimin e qëndrueshëm të tregut
  2. Përmirësimin e teknologjisë së kultivimit dhe të mbrojtjes së bimëve
  3. Mbarështimin e blegtorisë, bletarisë dhe akuakulturës
  4. Furnizimin e qëndrueshëm të tregut dhe rritjen e të ardhurave financiare për familjet e zonave rurale
  5. Nxitjen e kreditimit bankar e të investimeve në sektorin e përpunimit, ruajtjes dhe marketingut të produkteve bujqësore, blegtorale, shpendëve, akuakulturës, mjaltit dhe bimëve mjekësore
  6. Rritjen e mundësisë së fermerëve për mjete të mekanizuara
  7. Nxitjen e formalizimit, bashkëpunimit dhe organizimit të shoqërive të bashkëpunimit bujqësor (SHBB).

Sipas AZHBR, aplikimet për grant bëhen deri në 50 për qind të vlerës së investimit. Zyrat bujqësore në qarqe dhe ato të konsulencës do të ofrojnë informacion dhe mbështetje për aplikimet për grante e kredi për të gjithë të interesuarit.

Kush përfiton?

Të gjithë ata që kanë tokë bujqësore 0.5 deri në 2 hektarë dhe duan të investojnë në ngritjen e serave në një sipërfaqe nga 0.5 deri në 2 hektarë. Këtu llogaritet sipërfaqja e serrës dhe jo e tokës bujqësore, që zakonisht është më e madhe. Përfitojnë grant në masën 50 për qind të vlerës së investimit, por jo më shumë se një milion lekë për dynym. Pra, nëse ke një tokë një hektar dhe do të ndërtosh aty një serrë me investim 20 milionë lekë (rreth 150 mijë euro), granti që do të të jepet është 10 milionë lekë (pra rreth 75 mijë euro).

Si aplikohet?

Përmes aplikimeve, së pari të duhet një Plan i mirë biznesi. Nëse fermerët nuk mund ta bëjnë vetë, duhet t’i drejtohen zyrës se konsulentës apo projekteve që i ndihmojnë për të hartuar një Plan Profesional.

“AgroKapital”, financuar nga USAID-i dhe zbatuar nga CBS-ja, është një nga projektet që prej dy vjetësh vjen në ndihmë të fermerëve për të lehtësuar financimin me grante apo kredi bankare. Rreth 13 aplikime, apo 50 për qind e totalit, janë shpallur fituese një vit më parë, si rezultat i asistencës së dhënë nga ky projekt, ndërsa shumë zyra konsulence po bëjnë një punë të lavdërueshme me dhënien e ndihmës për fermerët e agropërpunuesit.

Kualifikimi behët në bazë të shumatores së pikëve. Këtu llogariten:

  • Sipërfaqja – nëse do të investosh në një serrë të madhe 2 hektarë do të marrësh maksimumin e pikëve (55 pikë). Pikët ndryshojnë në varësi të sipërfaqes
  • Tipi i serrës – nëse do të investosh një serrë me teknologji të lartë, do të marrësh 20 pikë, kurse për një serrë me ngrohje diellore 10 pikë
  • Plani i Biznesit – merr 8 pikë nëse plani i biznesit është i konceptuar qartë me të gjithë elementët përbërës
  • Eksperienca – nëse ke një diplomë në bujqësi merr 2 pikë, nëse ke eksperiencë merr 1 pikë
  • Statusi i aplikantit – nëse je fermer individual ke 7 pikë, nëse je shoqëri bujqësore 10 pikë
  • Përkatësia gjinore – nëse je femër merr 1 pikë më shumë se meshkujt
  • Mosha e aplikantit – nëse je 18-40 vjeç do të marrësh 4 pikë. Me rritjen e moshës pikët reduktohen deri në 1 pikë për mbi 65-vjeçarët.

Duhet të fitohen mbi 60 pikë gjithsej për t’u kualifikuar. Për aplikantët që kanë numër të njëjtë pikësh, renditet i pari ai që aplikon i pari.