Zgjedhja e Hashim Thaçit në postin e presidentit të Kosovës ka lënë të zbrazët postin e zëvendëskryeministrit në kabinetin qeveritar dhe pa drejtues një tjetër ministri të rëndësishme, Ministrinë e Jashtme. Ndërsa ditët e fundit në media janë lakuar disa emra për mbajtjen e këtyre posteve, kryeministri Isa Mustafa ka bërë komentin e parë për këtë çështje, duke paralajmëruar edhe ndryshime në qeveri.

"Formatimi i qeverisë së Kosovës nuk ka filluar, por do të ndodhë në ditët në vijim," – ka thënë kryeministri Mustafa.

Shefi i qeverise e bëri këtë koment të shkurtër pasi vendosi kurora me lule në Memorialin "Heroinat", me bashkëshorten dhe gra aktiviste të LDK, me rastin e 8 marsit. Mustafa preferoi të mos jepte detaje, por disa media në Kosovë raportojnë se dy partitë e mëdha partnere të koalicionit, LDK dhe PDK, kanë rënë dakord për riformatimin e qeverisë. Lëvizje pritet të ketë në Ministrinë e Brendshme, në Ministrinë e Drejtësisë, në Ministrinë e Arsimit dhe në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.