Në vitin 1999, kombëtarja amerikane e futbollit për femra fitonte titullin e dytë kampion bote, pasi mposhti me penallti Kinën, një sport ende pak i njohur përtej oqeanit edhe pse 5 vite më parë ishte zhvilluar një Botëror.
Por në mendjen e fansave ka mbetur momenti kur futbollistja Brandi Chastain shënoi golin e fundit nga pika e bardhë e penalltisë për amerikanet. Pasi realizoi golin vendimtar, ajo hoqi fanellën, duke qëndruar në fushë vetëm me sutjena, një gjest që nga feministët u kritikua, por që bëri xhiron e Amerikës, duke rritur popullaritetin e këtij sporti. Jo vetëm kaq, por Brandi Chastain mbushi faqet e para të mediave amerikane.
16 vite më pas, Brandi Chastain (tashmë 47-vjeçare) bëhet sërish protagoniste dhe zë faqet e para të mediave. Ajo ka vendosur t’i dhurojë trurin e saj pas vdekjes për kërkime shkencore Universitetit të Bostonit. Truri do të përdoret për të kryer studime për një sëmundje ende të pashpjegueshme, por që të dhënat mund të vijnë vetëm pas vdekjes së një personi. Ndaj dhe Chastain vendosi të dhurojë trurin e saj për eksperimente.
Mjekët shprehen se janë gjetur gjurmë të kësaj sëmundjeje në trurin e sportistëve të sporteve të rënda (boks, futboll amerikan, hokej apo edhe futboll). Brandi, që e ka goditur qindra herë topin me kokë shpjegon: “Pesonalisht nuk kam pasur asnjë simptomë, por dua të kontribuoj në këtë kërkim. Uroj që informacioni që do të vijë nga truri im të shërbejë për shkencën”.