David Schwendiman, kryeprokurori i Gjykatës Speciale të Kosovës për krime lufte, tha se zgjedhja e Hashim Thaçit si president i vendit nuk i jep atij imunitet nga ndjekja penale. Schwendiman, kryeprokurori në gjykatën e re që po ngrihet për të gjykuar luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për krime të dyshuara gjatë dhe pas luftës së vitit 1999, tha të premten se askush nuk kishte imunitet për të mos u ndjekur penalisht për shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar.

"Ne mund të përsërisim thjesht se, sipas ligjit ndërkombëtar, nuk ka amnisti për asnjë për shkelje të së drejtës humanitare ndërkombëtare. Kjo është bërë e qartë edhe në ligjin për Dhomat Speciale dhe Zyrën e Prokurorisë së Specializuar që u miratua nga parlamenti i Kosovës," – shtoi ai.

Schwendiman ishte kryeprokurori i Task Forcës Speciale Hulumtuese të BE, e cila është marrë me shqyrtimin e pretendimeve në një raport të Këshillit të Evropës në lidhje me krimet e pretenduara se janë kryer nga luftëtarët e UÇK. Raporti i vitit 2011 nga Këshilli i Evropës pretendon se luftëtarët e UÇK kryen krime kundër civilëve ku përfshihen rrëmbime, tortura dhe trafik organesh. Raporti përfshin gjithashtu Thaçin, i cili ishte kreu politik i UÇK gjatë konfliktit të saj të armatosur me forcat serbe. Thaçi, i cili u zgjodh president nga parlamenti i Kosovës në fundjavë, ka mohuar me vendosmëri çdo akuzë.